82% e shqiptarëve: Korrupsioni në çdo qelizë të Policisë së Shtetit

Korrupsioni i përhapur në të gjitha qelizat e Policisë së Shtetit nga niveli më i ulët tek niveli më i lartë. Ky është perceptimi i 82% të qytetarëve shqiptarë në mbarë vendin. Instituti për Demokracinë dhe Ndërmjetësimin në Shqipëri ka publikuar studimin në lidhje me projektin: “Ndërtimi i integritetit policor në Shqipëri”, projekt i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme në Holandë. Qytetarët shprehen se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet e Policisë së Shtetit, ndërsa denoncojnë dhe shprehin shqetësimin në lidhje me emërimet korruptive në postet drejtuese të Policisë së Shtetit, ashtu si edhe lidhjet e strukturave drejtuese të policisë me njerëz të inkriminuar. Përmes këtij studimi vihet re rënia e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, si dhe mungesa e besimit gjithashtu në angazhimin e autoriteteve përkatëse në luftën kundër korrupsionit. “Pyetjes: ‘A besoni zyrtarët në Policinë e Shtetit janë të korruptuar?’, i janë përgjigjur negativisht vetëm 4% e të anketuarve, kundrejt shumicës prej 82% që besojnë se ka policë të korruptuar. Nga ana tjetër, pyetjes se ‘Deri në çfarë mase është i përhapur korrupsioni në Policinë e Shtetit?’, shumica e të anketuarve, rreth 33%, mendojnë se korrupsioni është ‘i përhapur në një masë të konsiderueshme’. Në kërkesën ndaj të anketuarve për të vlerësuar shkallën e korrupsionit në nivele të ndryshme të Policisë së Shtetit, duke filluar nga pozitat e larta drejtuese në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në nivelin më të ulët të punonjësve të policisë në komisariate vlerësimi negativ rritet në mënyrë progresive, nga niveli më i ulët tek niveli më i lartë. Policia Rrugore, Sektori kundër Lëndëve Narkotike dhe Trafikut ashtu si edhe Sektori kundër Krimit Financiar perceptohen nga qytetarët si tri strukturat ku korrupsioni është më i përhapur. Rreth 74% e qytetarëve kanë deklaruar se korrupsioni është më i përhapur tek Policia Rrugore”, thuhet në studimin e Institutit për Demokracinë dhe Ndërmjetësim. Shqetësimi më i madh i qytetarëve ngrihet në lidhje me emërimet klienteliste e korruptive dhe jo profesionale në Policinë e Shtetit. Të gjithë qytetarët pohojnë se u është kërkuar ryshfet në rrethana të caktuara dhe një pjesë e mirë e tyre të detyruar nga kushtet dhe presioni u ka dhënë ryshfet policëve.

Përkeqësimi i perceptimit të qytetarëve në lidhje me perceptimin e qytetarëve mbi korrupsionin vjen si pasojë e mungesës së një strategjie konkrete dhe masave konkrete gjithashtu në luftën ndaj këtij fenomeni. Sipas të dhënave dhe pohimeve të vetë qytetarëve rezulton se policia është një ndër strukturat më të korruptuara, duke nisur nga drejtuesit më të lartë të saj. Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, Shqipëria renditet ndër vendet më të korruptuara në Europë dhe me nivelin më të lartë të korrupsionit krahasuar me vendet e rajonit.

Vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit

Stopimi i reformave dhe masave në luftën kundër korrupsionit është një nga arsyet kryesore të përkeqësimit të perceptimit të qytetarëve në lidhje me korrupsionin në vend. Sipas studimit të IDM evidentohet se, në rast se më 2005 e në vitet në vijim gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike u vendos një kurs pozitiv reformash që solli në arritjen e një progresi të madh në luftën kundër korrupsionit, sot përhapja e korrupsionit në të gjitha nivelet e veçanërisht në Policinë e Shtetit mbetet një shqetësim serioz. Sot, sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, Shqipëria renditet ndër vendet më të korruptuara në Europë dhe me nivelin më të lartë të korrupsionit krahasuar me vendet e rajonit. “Të vetëdijshëm për problemin e korrupsionit, qeveria e kryesuar nga Partia Demokratike që erdhi në pushtet në vitin 2005 ndërmori një seri reformave në fushën ligjore dhe institucionale, duke themeluar institucioneve dhe agjenci të reja. Gjithashtu ajo miratoi kornizën ligjore për të lehtësuar biznesin dhe shërbime të tjera lehtësuese, që nga ajo kohë rëndësia e dënimit të korrupsionit erdhi në rritje. Këto reforma prodhuan rezultate pozitive që janë të pasqyruara në Indeksin e Transparency International. Gjatë 2008-2010, Shqipëria përmirësoi dukshëm rënien e nivelit të korrupsionit duke kapërcyer disa vende nga i 105 në vitin 2007 ajo zbriti në 85 në vitin 2008. Në vitet në vijim, megjithatë, vendi përjetoi një rënie të konsiderueshme. Pas këtyre viteve, në vitin 2013 Shqipëria pësoi sërish rritje të nivelit të korrupsionit, duke u renditur në vendin e 116. Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, Shqipëria renditet ndër vendet më të korruptuara në Europë dhe me nivelin më të lartë të korrupsionit krahasuar me vendet e rajonit”, thuhet në studimin e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

86% e qytetarëve u është kërkuar ryshfet

Është shumica dërrmuese e qytetarëve, e cila pohon se në 12 muajt e fundit ka hasur veprime korruptive të Policisë së Shtetit, akti më i zakonshëm është ai i ryshfetit. Të gjithë qytetarët pohojnë se u është kërkuar ryshfet në rrethana të caktuara dhe një pjesë e mirë e tyre të detyruar nga kushtet dhe presioni u ka dhënë ryshfet policëve. Nga ana tjetër qytetarët pohojnë se kanë një mungesë totale besimin në lidhje me denoncimin e këtyre rasteve pasi janë të bindur se në rast denoncimi çështja mund të kthehet kundër tyre. Sipas deklarimeve të qytetarëve janë të gjitha nivelet e strukturave të policisë që janë të përfshira në korrupsion dhe kërkojnë prej qytetarëve ryshfete. “Rreth 24% e qytetarëve pranojnë se në 12 muajt e fundit kanë patur kontakte me policinë dhe 11% më herët. Shumica dërrmuese e qytetarëve, rreth 69% e tyre pranon se ka patur bashkëveprim me Policinë e Shtetit dhe pjesa tjetër me Policinë Bashkiake apo të tjerë. Të pyetur nëse a ka ndodhur që atyre personalisht t’u jetë kërkuar ryshfet vitin e fundit, 35% e tyre kanë konfirmuar një eksperiencë të tillë, 21% kanë deklaruar se u është kërkuar ryshfet nga Policia Rrugore dhe 4% e tyre kanë deklaruar se u është kërkuar ryshfet nga Policia Kufitare. Të pyetur nëse ata kanë paguar ryshfet vitin e fundit, 23% e të intervistuarve kanë pohuar se kanë paguar ryshfet. 81% e të anketuarve deklarojnë se ata nuk kanë kërkuar favore nga policia dhe se vetëm 3% e tyre deklarojnë se kanë kërkuar. Pjesa më e madhe e të anketuarve që konfirmojnë një gjë të tillë sërish i referohen Policisë Rrugore si më problematike. Rreth 86% e qytetarëve deklarojnë se oficerët e Policisë Rrugore kanë pranuar ryshfetin, ndërsa 14% e tyre nuk e kanë pranuar atë. Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve, rreth 45% nuk dinë se ku mund të denoncojnë aktet apo tentativat e korrupsionit nga oficer i Policisë së Shtetit. Të pyetur nëse kanë denoncuar ndonjëherë raste të tilla korrupsioni, 91% e qytetarëve u përgjigjën Jo dhe 4% e tyre refuzuan të përgjigjen. Të pyetur se përse nuk kanë denoncuar rastet kur nga ana e policisë u është kërkuar ryshfet, qytetarët janë përgjigjur se nuk kanë besim tek institucionet ku do të denoncojnë. Ata mendojnë se është më e thjeshtë që problemi të zgjidhet me një ryshfet apo favor. Të gjithë të anketuarit shprehen se korrupsioni në Policinë e Shtetit dhe marrja e ryshfetit është “shumë e shpeshtë”.

Vincent TRIEST (Rilindja Demokratike)

Advertenties